Investimet në zhvillimin dhe modernizimin e insfrastruktuës, në bllokun operator në Spitalin Universitar të Traumës kanë mundësuar krijimin e një mjedisi bashkëkohor, ku ndërhyrjet kirurgjikale realizohen me standarde të larta sigurie dhe efikasisteti.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, prof.Evis Sala, gjatë vizitës në këtë spital u ndal në Shërbimin e Neurokirurgjisë, i pajisur së fundmi me teknologji moderne, që mundëson ndërhyrje sa më pak invazive dhe me saktësi maksimale.
Kabinetet ambulatore të ORL-së, Okulistikës dhe Neurokirurgjisë janë pajisur me aparatura diagnostikuese të reja, duke përmirësuar ndjeshëm cilësinë dhe shpejtësinë e shërbimit për pacientët.
“Modernizimi i Spitalit të Traumës, specifikisht i bllokut operator, aq i rëndësishëm në rastet e traumave shëndetësore, sidomos atyre urgjente dhe pajisja e tij me aparatura mjekësore inovative përbëjnë një hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të cilësisë së shërbimit dhe sigurisë për pacientët,” – u shpreh ministrja Sala.
Spitali Universitar i Traumës është struktura e vetme spitalore që ofron shërbim të specializuar për traumën dhe politraumën në nivel kombëtar. Numri i pacientëve që marrin shërbim në këtë spital është në rritje të vazhdueshme, përfshirë edhe shtetas të huaj. Aktualisht, në SUT trajtohen mbi 62 mijë raste urgjente çdo vit.
SUT ofron shërbime të specializuara në fusha të ndryshme, që përfshijnë ortopedinë, kirurgjinë e traumës, kirurgjinë e përgjithshme, neurokirurgjinë, si edhe shërbime të ORL-së, okulistikës dhe kirurgjisë maksilofaciale. Krahas tyre, spitali ofron gjithashtu trajtime në sëmundjet e brendshme, reanimacion, imazheri, farmaci, konsulta ambulatore dhe fizioterapi, duke garantuar kujdes të plotë multidisiplinar për pacientët me trauma dhe politrauma.
Në bashkëpunim me Ministrinë e Mbrojtjes, ka nisur rikonstruksioni i Spitalit Universitar të Traumës, me qëllim përmirësimin e mëtejshëm të infrastrukturës
dhe kushteve të punës e akomodimit, për të garantuar një mjedis, që i përgjigjet më mirë rritjes së vazhdueshme të kërkesës për trajtime të specializuara dhe cilësore.
© Ministria e Shëndetësisë 2026 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.